Lika tregon “arratinë”: Pse nuk luaj dot ndaj Vllaznisë

25/05/2017 00:00

Gilman Lika iu bashkua të arratisurve të bujshëm që nuk u bëjnë këmbët për të luajtur në një ndeshje që dënon me zbritje një nga legjendat e futbollit shqiptar.

Mesfushori i Tiranës gjeti mirëkuptimin e stafit, por kërkon të njëjtën gjë edhe nga tifozët për vendimin që të mos luajë të shtunën në “Loro Boriçi” ndaj ekipit të vendlindjes.

“E di se është diçka joprofesionale, por kam qenë në një situatë shumë të vështirë. Pas takimit që kam patur me Presidentin dhe trajnerin, i falenderoj për mirëkuptimin. Për mua është një ndeshje e jashtëzakonshme që nuk e kisha menduar se do të arrinte që Tirana dhe Vllaznia të luajnë për të siguruar mbijetesën. Shpresoj që edhe tifozët të më mirëkuptojnë për vendimin që kam marrë”, thotë futbollisti.

Në një ndeshje ku Tirana dhe Vllaznia diskutojnë mbijetesën, në fillim refuzoi të ishte pjesë Bakaj nga ana e shkodranëve, e tashmë dhe Gilman Lika.

“Të jem i sinqertë e kam marrë vendimin direkt pas Luftëtarit, por e vonova, sepse prita që fjalët që dolën se mund të dënohej Skënderbeu, që dolën të pavërteta dhe mora vendimin”, thotë Lika.

Tashmë faktet janë kokëforta. 30-vjeçari është në fundin e kontratës së tij me Tiranën, diçka që edhe pse mori mirëkuptimin e Presidentit dhe trajnerit, nuk do ta ndihmojë për të sjellë rinovimin, pavarësisht rezultatit të 90-minutëshit të Shkodrës mes Vllaznisë dhe “Bardhebluve”.

Top Channel