Si të ndikoni te qeveria? Batuta e John Kerry: Mësoni rusishten

25/05/2017 00:00

Amerikanët që duan të ndikojnë te qeveria duhet që të mësojnë rusisht. Kështu deklaroi ish-Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, gjatë një fjalimi në shkollën “Kennedy” të qeverisjes, që është pjesë e Universitetit të Harvardit.

Batuta ironike e ish-kryediplomatit Kerry ishte pjesë e kritikave që ai i bëri presidentit Trump dhe ekipit të tij, që po hetohen për ndërhyrjen e pretenduar ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

“Shpesh më kanë pyetur se cili është sekreti që të kesh ndikim te qeveria. Së fundmi ka ndryshuar. Dikur do të thoja kandidoni, ose merrni diplomë nga shkolla ‘Kennedy’. Por me këtë Shtëpi të Bardhë, ju them që të mësoni rusishten”, tha John Kerry.

Batutës së tij iu përgjigj Ministra e Jashtme ruse, e cila tha se administrata e shkuar amerikane duhej të kishte lexuar poemat e propagandistit sovjetik, Vladimir Mayakovsky, i cili i thurte lavde epokës së Leninit.

Në një postim në “Facebook”, zëdhënësja e Ministrisë ruse, Maria Zakharova tha se Rusia gaboi, pasi nuk i dërgoi administratës së Barack Obamës një koleksion të poemave të poetit rus.

Top Channel