Anglia e Uellsi, në qershor pa Rooney e Bale

25/05/2017 00:00

Anglia dhe Uellsi nuk do të kenë yjet e tyre, Wayne Rooney dhe Gareth Bale, në ndeshjet e radhës që do të luajnë në qershor.

“Tre luanët” do të përballen muajin e ardhshëm me Francën dhe Skocinë, ndërsa trajneri Southgate ka preferuar të mos e ketë kapitenin e skuadrës nën urdhrat e tij.

Wayne Rooney, i cili ka zhvilluar 119 ndeshje me kombëtaren angleze, këtë sezon nuk është aktivizuar shumë me klubin e tij, Manchester United, teksa 31-vjeçari është shfaqur në vetëm 19 ndeshje.

Ai që është grumbulluar në skuadër për këto dy ndeshje është pikërisht Marcus Rashford, ndërkohë që Southgate riktheu në përfaqësuese edhe Jack Butland, i cili është riaftësuar plotësisht nga dëmtimi në kavilje, të pësuar marsin e vitit 2016 në përballjen ndaj Gjermanisë.

Përsa i përket Bale, situata e sulmuesit të Realit të Madridit është krejtësisht ndryshe. 27-vjeçari nuk do të jetë në ndeshjen e 11 qershorit, që Uellsi do të luajë me Serbinë, vetëm për shkak kartonash, e për këtë arsye ai është lënë jashtë skuadre nga trajneri Coleman.

Ndërkohë, Bale po punon për të qenë në formën më të mirë të mundshme për finalen e Champions League, që Reali i Madridit do të luajë me Juventusin, pikërisht në vendlindjen e tij Kardif.

Top Channel