Kupa e Konfederatave, objektiv për Portugalinë

25/05/2017 00:00

Kombëtarja portugeze e futbollit shkon në Kupën e Konfederatave, pas një muaji, me kostumin e më të fortës së Europës, gjë që i jep kuota dhe respekt të mjaftueshëm për të synuar trofeun simbolik.

Në aktivitetin, që shihet si “antipastë” e Botërorit të futbollit të vitit 2018 në Rusi, luzitanët kanë formalizuar një listë lojtarësh, që mund të rivalizojë denjësisht me këdo.

Trajneri Fernando Santos tha se, nuk pret që lista prej 23 futbollistësh të ndryshojë para turneut. Kontigjenti aktual do të përballet fillimisht me Qipron, në miqësoren e 3 qershorit, dhe me Lituaninë 6 ditë më vonë, për kualifikueset e Botërorit.

Përjashtimet më të bujshme të Portugalisë për Kupën e Konfederatave janë Renato Sanches dhe Eder, dy prej heronjve të ekipit triumfues në “Euro 2016”.

Sanches ka mbetur ende në përkufizimin e një talenti, por pa shkëlqyer në fushë, aq sa Bayern Munchen po mendon ta shesë. Portugalia ndodhet në grupin A dhe do të luajë ndeshjen e parë ndaj Meksikës më 18 qershor, përpara se të përballet me vendin organizator Rusinë, si dhe me Zelandën e Re.

Ndërkohë, në grupin B ndodhen Gjermania, kampione e botës, Australia, Kameruni dhe Kili.

Top Channel