Obama, takim me Merkel në Berlin: S’mund të fshihemi prapa mureve

25/05/2017 00:00

Ndërkohë që Trump ndodhet në Bruksel, paraardhësi i tij Barack Obama ka zbarkuar në Berlin. “Shmangia nuk është zgjidhje”, u tha ai njerëzve të mbledhur në Portën e Brandenburgut, duke iu referuar apelit të vet për angazhim sa më të madh ndërkombëtar.

Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë ndodhet në Gjermani për të diskutuar me Kancelaren Angela Merkel çështje të demokracisë dhe përgjegjësisë globale, në kohën kur vendi kremton 500-vjetorin e reformimit. Ky është i pari fjalim i Obamës në Europë, që prej largimit nga Zyra Ovale në muajin janar.

“Ajo që mund të bëjmë për rezultate më të mira është t’iu krijojmë njerëzve më tepër mundësi në vendet e tyre të lindjes. Kur ofrojmë ndihmë për zhvillim në Afrikë apo përfshihemi në zgjidhje konflikti në zona të tjera, kur investojmë në përpjekje për t’u përballur me ndryshimet klimatike, të gjitha këto gjëra nuk bëhen thjesht për bamirësi. Nëse ka trazira në ato vende, nëse ka keqqeverisje, nëse ka luftë dhe varfëri, në këtë botë të re që jetojmë, ne nuk e izolojmë dot veten. Nuk mund të fshihemi pas një muri”, tha Obama.

Këtë përgjigje, Obama e dha pas pyetjes që iu drejtua, si atij, ashtu edhe Merkelit, mbi krizën e refugjatëve. Në vitin 2008, 200 mijë banorë të Berlinit dolën për ta dëgjuar Obamën të fliste nga i njëjti vend, asokohe si kandidat për Presidencën amerikane.

Tetë vite më vonë, ai do të zbriste sërish në kryeqytetin gjerman, në udhëtimin e fundit në Europë si kryetar i shtetit amerikan. Pas Obamës, që e konsideron mik, Kancelarja Merkel do të takojë pasardhësin e tij Trump, në Bruksel, ku do të udhëtojë më vonë për të marrë pjesë në samitin e NATO-s.

Top Channel