Jose Mourinho, “Mbreti” i kupave

25/05/2017 00:00

Jose Mourinho mund të përkufizohet fare mirë si “Mbreti” i kupave. Trajneri portugez e pasuroi karrierën e tij me një tjetër trofe, atë të Europa League, për ta çuar në 17 numrin e triumfeve në 25 finale të zhvilluara dhe këtu nuk përfshihen titujt kampionë në ligat më të rëndësishme evropiane.

Në vitin e tij të debutimit në stolin e Manchester United, portugezi  arriti të plotësojë “Tripletën” e tij, pasi, përveç finales së Stokholmit, “Djajtë e Kuq” këtë sezon mundën të fitojnë edhe Communuity Shield dhe Kupën e Ligës.
 
Suksesi në Europa League e çon Manchester United në fazën e grupeve në Ligën e Kampioneve dhe tifozët e “Djajve të Kuq” tashmë kanë filluar të ëndërrojnë duke parë se cikli i suksesshëm i Mourinhos me Porton nisi pikërisht me fitoren e Europa League në 2002/2003, që në atë kohë quhej Kupa UEFA.

Vetëm 1 vit më vonë, në 2004, portugezi triumfoi në Ligën e Kampioneve, ndërkohë që suksesi i fundit në arenën ndërkombëtare i tij ishte pikërisht Champions League në vitin 2010, me Interin e “Tripletës” së famshme.

Top Channel