Ngjitja e Everestit, diletantizmi shkakton viktima

24/05/2017 00:00

64 vjet nga ngjitja e njeriut të parë në majën më të lartë të botës, Everesti vazhdon të ushtrojë një tërheqje të madhe mbi alpinistët, një tërheqje që jo pak herë rezulton fatale.

10 persona kanë humbur jetën këtë vit në tentativë për të arritur majën, apo ndërsa e zbrisnin atë duke e bërë Everestin padyshim nga një malet më të rrezikshme në botë.

Viktima më e fundit ishte një alpinist indian, i cili arriti majën e lartë të shtunën, por humbi jetën ndërsa zbriste prej saj. Mediat raportojnë se disa alpinistë nepalezë po përgatiten për misionin e rrezikshëm të marrjes së trupit të 27 vjeçarit Ravi Kumar, i cili ishte një nga katër personat që vdiqën këtë fundjavë në Everest, përfshirë një mjek amerikan dhe një alpinist australian.

Një javë më parë, katër alpinistë të tjerë u gjetën të vdekur në çadrat e tyre në lartësinë 7950 metra, thuajse një kilometër larg majës. Numri i lartë i viktimave këtë vit ka rritur ankesat dhe shqetësimin për rënien drastike të standardeve të kompanive, alpinistëve dhe guidave nepaleze që organizojnë e shoqërojnë turistët në mal.

Autoritetet nepaleze lëshuan një numër rekord lejesh këtë vit, 373, për ngjitjen e Everestit nga ana nepaleze. 136 leje të tjera u lëshuan nga Tibeti, për ngjitjet nga faqja veriore.

Ekspertët thonë se aktualisht, kombinimi i mbipopullimit të malit dhe alpinistëve pa eksperiencë është një përzierje toksike.

Kompanitë lokale e kanë ulur në 18.000 dollarë për njeri ngjitjen e Everestit, ndërsa një kompani serioze dhe me eksperiencë kërkon 45.000 dollarë.

Më shumë se 400 njerëz kanë arritur majën më të lartë të botës dhe ekspertët thonë se kur ngjitja në malin më të lartë të botës shitet si xhiro turistike në bregdet, nuk ka dyshime se numri i viktimave do të rritet.

Top Channel