Samiti i NATO-s; Aleanca kërkon të ‘mahnitë’ Trump

24/05/2017 00:00

Brukseli është përgatitur për të pritur samitin e NATO-s të enjten dhe gjithashtu të mirëpresë presidentin e SHBA Donald Trump në pjesëmarrjen e tij të parë në një takim të Aleancës veri-atlantike. Takimi është koreografuar për t’i bërë përshtypje presidentin amerikan që kohë më parë e cilësoi aleancën si të vjetërsuar.

 Trump gjendet tashmë në Belgjikë dhe të enjten pritet që të zbulojë një memorial të sulmeve të 11 shtatorit 2001 në New York, memorial që gjendet në hyrjen e ndërtesës së re të NATO-s që u deshën thuajse dy vjet të ndërtohej dhe kushtoi 1,1 miliardë euro.

Zyrtarët e NATO-s shpresojnë se Monumenti me pjesë metalike nga një prej kullave binjake do t’i kujtojë Trumpit se hera e vetme që aleanca aktivizoi klauzolën e mbrojtjes kolektive ishte pas sulmeve në New York dhe Washington.

Megjithatë takimi i NATO-s nuk do të jetë i lehtë, pasi Trump ngul këmbë që respektimin e kontributit financiar për aleancën që aktualisht vetëm pak vende e bëjnë.

Kjo u konfirmua edhe nga sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson, i cili shoqëron Trumpin në Bruksel. Tillerson tha se presidenti do të tregohet i ashpër me aleatët dhe do t’u kërkojë atyre që të shpenzojnë 2% të GDP-së për buxhetin e mbrojtjes.

Ndërsa nuk dihet si do të shkojë takimi i së enjtes i NATO-s, shumë më i qartë është qëndrimi i publikut në Bruksel, ku me mijëra protestuan kundër politikave të Trump.

Protestuesit e shumtë përgatiteshin prej ditësh për të treguar zemërimin e tyre, i cili thonë se buron prej qëndrimeve kontradiktore të Presidentit amerikan dhe këtë do ta shprehin edhe gjatë ditës së samitit.

Top Channel