FA Cup në “Wembley”, Arsenali ka krizë në mbrojtje

24/05/2017 00:00

Arsenali po përballet me një krizë serioze në prapavijë në prag të ndeshjes që mund të përcaktojë qëndrimin ose jo të Arsene Wenger në pankinën e skuadrës londineze. Në derbin e së shtunës që vlen trofeun e FA Cup kundër Chelsea, “topçinjtë” nuk do të kenë në dispozicion Gabriel që është i dëmtuar, si dhe Laurent Koscielny që është pezulluar.

Mbrojtësi nga Gostivari, Shkodran Mustafi është gjithashtu në dyshim për shkak të problemeve fizike, duke e kthyer në një boshllëk të madh zonën para portës.

“Është e pabesueshme dhe e paparashikueshme sesi ne jemi dobësuar kaq shumë në një repart ku duhej të ishim në më të mirën e formës. Duhet të gjejmë zgjidhje për finalen ndaj Chelsea”, tha trajneri Arsene Wenger. Nëse Shkodran Mustafi nuk do të luajë, trajneri francez do të jetë pa 3 mbrojtësit qendrorë, çka i imponon rikthimin në skemën tradicionale 4-5-1.

Finalja e së shtunës në stadiumin mitik “Wembley” është një shans i artë për Arsenalin që të mbyllë sezonin me trofe, pas dështimit në kampionat ku titulli shkoi për Chelsea dhe Champions mbeti objektiv i largët. Wenger ende nuk e ka vendosur nëse do të rinovojë edhe për dy vjet, apo do t’i japë fund dinastisë së tij në pankinën e Arsenalit duke nisur nga kjo verë.

Top Channel