NBA, Cleveland i afrohet Finales së madhe me Golden State

24/05/2017 00:00

Cleveland Cavaliers i afrohen gjithnjë e më shumë Finales së madhe në NBA. Skuadra nga Ohio fitoi ndeshjen e katërt të finales së Konferencës së Lindjes ndaj Bostonit, 112-99, duke e çuar avantazhin ndaj Celtics në 3-1.

Në “Quicken Loans Arena”, Cleveland nuk e pati shumë të lehtë sfidën me Celtics, por në fund arritën ta mbyllin atë në favorin e tyre. Boston e nisi shumë mirë sfidën, teksa e mbylli periodën e parë me avantazhin e 10 pikëve, 29-19, për ta rritur këtë diferencë deri në 16 pikë në minutat në vazhdim, kur regjistroi rezultatin 49-33.

Gjërat u bënë tej mase të vështira për Cleveland, që pa LeBron James të ulet në stol pas 4 faullave personale. Në këtë pikë, ai që mori përsipër të nxjerrë nga telashet skuadrën e tij ishte Kyrie Irving, i cili gjatë periodës së dytë shënoi 10 pikë, duke bërë që skuadrat të shkonin në pushimin e ndeshjes me rezultatin 59-49.

Shpërthimi i Irving u pa në periodën e tretë, kur shënoi 21 pikë, për t’i dhënë Clevelandit avantazhin 87-80 pas 36 minutash lojë, ndërkohë që ai vet e mbylli ndeshjen me 42 pikë.

Në 12 minutëshin e fundit u kthye në parket LeBron James, që shënoi 15 nga 34 pikët e tij të kësaj sfide, duke i dhënë mundësinë Cavaliers të mbyllin përfundimisht llogaritë e kësaj përballjeje. Seria e ndeshjeve kthehet në Boston, mbrëmjen e së premtes, me Celtics që do të kërkojnë të qëndrojnë ende në lojë për një vend në Finalen e NBA.

Top Channel