NATO, Turqia pritet të vendosë veton për partneritet me Austrinë

24/05/2017 00:00

Turqia ka paralajmëruar se do ta bllokojë pjesëmarrjen e Austrisë në stërvitjet e NATO-s, lëvizje kjo që sipas “Deutsche Welle”-s mund të ketë pasoja të rënda edhe për Kosovën.

Aleanca 28-anëtarëshe ka 22 vende partnere në Europë. Austria, si një vend neutral, bën pjesë në grupin e vendeve partnere, të cilat mund të marrin pjesë edhe në manovrat dhe në misionet e NATO-s jashtë vendeve anëtare.

Por Turqia, anëtare e aleancës, kërcënon ta bllokojë këtë pjesëmarrje me veton e saj. Arsyeja? Një hakmarrje për kërkesat e shpeshta të Vjenës, që Brukseli të ndërpresë bisedimet e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Europian, si dhe kritikat e shpeshta ndaj politikës autokratike të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Duke iu referuar burimeve diplomatike në NATO, gazeta gjermane “Die Ëelt” njofton se, vendimi do të merret këto ditë në Bruksel. Në takim do të vendoset mbi raportin ndaj vendeve partnere nga Europa, dhe të tjerave që ndodhen në Azi dhe ish-republikat sovjetike.

Parashikohet që në të ardhmen të nënshkruhen marrëveshje të veçanta me secilin prej këtyre shteteve, gjë që do të thotë se Austria mund të përjashtohet për disa muaj nga bashkëpunimi ushtarak. Kjo do të sillte pasoja të rënda për disa misione.

Austria, aktualisht është ndër vendet me kontigjentin më të madh ushtarak në Kosovë. Ndaj, qarqet e NATO-s tani shtrojnë pyetjen se çfarë do të ndodhë me pjesëmarrjen e saj në misionin e KFOR-it, ku ka 400 ushtarë, dhe a nënkupton kjo se Vjena duhet t’i largojë menjëherë ushtarët e saj prej andej.

Çështja pritet të jetë edhe një nga temat e takimit të ditës së enjte në Bruksel, ku do të jetë i pranishëm presidenti amerikan Donald Trump.

Top Channel