Turi çiklistik i Shqipërisë, italianët dominojnë në etapën e katërt

24/05/2017 00:00

Etapa e katërt e Turit të 74-t çiklistik të Shqipërisë, Vlorë-Sarandë, ishte nën dominimin e sportistëve italianë.

Ai që triumfoi në përfundim të 179 km të përshkuara ishte pikërisht Francesco Bongiorno, me kohën 3 orë, 17 minuta e 47 sekonda.

Kjo ishte një etapë e karakterizuar nga një terren ngjitës, që e bëri etapën edhe më interesante. Bongiorno pati meritën që u shkëput nga grupi, për të rezistuar deri në përfundim të etapës dhe për t’u shpallur fitues i saj.

Në vendin e dytë u rendit Pierpaolo Ficara, me 34.3 sekonda më shumë se Bongiorno, ndërsa në vendin e tretë u pozicionua italiani tjetër, Davide Orrico, me 2 minuta e 48 sekonda më shumë.

Sot zhvillohet etapa e pestë dhe e fundit e Turit të 74-t çiklistik të Shqipërisë, që është ajo Sarandë-Fier, 169 km e gjatë, ku do të shpallen edhe fituesit.

Vlen të theksohet se, këtë vit, Turi i Shqipërisë u përfshi edhe në kalendarin ndërkombëtar të Federatës Ndërkombëtare të Çiklizmit, gjë që ndodh për herë të parë.

Top Channel