Hetimet për Rusinë, Kasowitz do të mbrojë Trumpin

24/05/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump ka emëruar avokatin, Marc Kasowitz, për ta përfaqësuar atë në hetimin për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane, e për lidhje të mundshme me fushatën e Trumpit.

Miliarderi ka përdorur shërbimet e avokatit këmbëngulës njujorkez për më shumë se një dekadë. Javën e kaluar, ish-shefi i FBI-së Robert Mueller u emërua si këshilltar special në hetimet e Departamentit të Drejtësisë.

Numri një i Uashingtonit mohon çdo lloj lidhje mes fushatës së tij dhe Rusisë. Gjithsesi, agjencitë amerikane të inteligjencës besojnë se Moska ka ndërhyrë në fushatën e nëntorit, për të favorizuar atëherë kandidatin republikan.

Kasowitz dhe Shtëpia e Bardhë nuk kanë bërë ende asnjë koment lidhur me emërimin. Avokati është një njeri i njohur për Trump dhe ishte pikërish ai, që kërcënoi të padiste gazetën “New York Times” nëse nuk do të përgënjeshtronte një artikull lidhur me sjelljet e pahijshme të miliarderit ndaj grave.

Por gazeta i qëndroi besnike versionit të saj deri në fund. Persona që kanë punuar me Kasowitz thonë se, ai mund të jetë shumë agresiv, por në të njëjtën kohë edhe i respektueshëm. Thirrjet për zhvillimin e një hetimi të veçantë janë shtuar, që kur presidenti Trump shkarkoi nga detyra drejtorin e FBI-së, James Comey, më herët gjatë muajit.

Top Channel