Gjermani, zbulohet klani kolosal i hajdutëve

23/05/2017 00:00

Policia e Mynihut tha se shkatërroi një pjesë të një klani kolosal hajdutësh, të cilët dyshohet se janë përgjegjës për një të pestën e vjedhjeve të shtëpive në të gjithë Gjermaninë.

Banda kriminale u përshkrua nga policia si një “oktapod”, me tentakulat e shtrira në të gjithë Europën, dhe anëtarët e saj janë të afërm ose të lidhur përmes martesave.

Për këtë klan gjigant, që mendohet se ka mbi 500 anëtarë, nuk dihej asgjë deri në janar të vitit 2016, kur policia arrestoi 3 femra që po tentonin të vidhnin një shtëpi në Mynih.

Policia lokale nisi hetimet dhe shpejt zbuloi klanin e madh të hajdutëve, që mendohet se operon në Belgjikë, Francë dhe Itali, mes shumë vendeve të tjera.

Autoritetet në Mynih thanë se operacioni i tyre ka sjellë dhjetëra arrestime në Gjermani, Spanjë dhe Kroaci. Hetuesit gjermanë thanë se, në Kroaci kanë mundur të arrestojnë dy prej udhëheqësve të bandës, që jetonin në vila luksoze.

Sipas hetuesve, banda funksionon bazuar në një hierarki të rreptë, ku niveli më i ulët janë femra të reja që detyrohen të vjedhin shtëpitë, pasi nuk bien në sy dhe shpesh i shpëtojnë burgut. Policia gjermane tha se është e pamundur të dihet me saktësi vlera e vjedhjeve të tyre, por një vlerësim modest do të ishte dhjetëra milionë euro.

Top Channel