Identifikohet kamikazi i sulmit në Manchester

23/05/2017 00:00

Një nxënëse e shkollës fillore, vetëm 8 vjeç, është mes 22 personave që humbën jetën, kur një kamikaz hodhi veten në erë pas një koncerti të këngëtares Ariana Grande, në “Manchester Arena”.

Shteti Islamik mori përsipër autorësinë e sulmit, duke thënë se një prej ushtarëve të tij kishte pozicionuar eksplozivë mes atij që e quan “grupim i kryqtarëve”, në qytetin Manchester.

Grupi xhihadist paralajmëron se, për adhuruesit e kryqit dhe aleatët e tyre, e keqja më e madhe nuk ka ardhur ende. Kamikazi, që sipas medieve britanike ishte i njohur për autoritetet, e që thuhet të ketë lindur në Britani, vdiq brenda arenës.

“CBS News” e identifikon atë si 23-vjeçarin Salman Abedi, me origjinë libiane. Ndërkohë, policia kreu një shpërthim të kontrolluar në atë që besohet të jetë banesa e tij, gjatë bastisjeve të zhvilluara në qytet ditën e martë.

8-vjeçarja Saffie Roussos, 18-vjeçarja Georgina Callander, si dhe 26-vjeçari John Atkinson janë 3 viktimat e para të identifikuara. Mes 59 personave të plagosur, që po trajtohen në spital, 12 janë fëmijë. Gjendja e tyre vlerësohet e rëndë.

“Ajo që mund të them është se, shumë prej tyre kanë plagë shumë serioze dhe do të qëndrojnë për një kohë të gjatë në spital”, tha Jon Rouse, mjek.

Disa të rinj të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe familjarët po përpiqen dëshpërimisht t’i gjejnë ata, edhe me ndihmën e rrjeteve sociale. Dëshmitarë rrëfyen sesi gozhda e bulonë metalikë ishin shpërndarë në të gjithë zonën, pas shpërthimit që ktheu në skenë “lufte” atë që duhej të ishte një mbrëmje argëtuese, për adoleshentë e familjarë.

Një 23-vjeçar u vu në pranga nga forcat e Antiterrorit në jug të qytetit, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbulojnë nëse kamikazi ishte pjesë e një celule, apo kishte vepruar i vetëm. Në një deklaratë nga “Downing Street”, kryeministrja Theresa May e cilësoi sulmin si një akt të tmerrshëm terrorist, që kishte shënjestruar të rinj të pambrojtur.

Top Channel