NBA, Golden State me rekord në Finalen e madhe

23/05/2017 00:00

Plot 12 fitore dhe asnjë humbje. Ky është rekordi i Golden State Warriors, ekip që shpallet zyrtarisht kampion i Konferencës së Perëndimit në NBA.

Skuadra e drejtuar nga Steve Kerr shkatërroi për të katërtën herë San Antonion, këtë radhë me rezultatin 129-115, duke e mbyllur serinë e ndeshjeve në 4-0.

Për Golden State, ky është viti i tretë radhazi që arrin në Finalen e madhe të NBA, ku do të presë fituesin e përballjes mes Cleveland dhe Bostonit, që është e mbërthyer në shifrat 2-1 për skuadrën nga Ohio.

Protagonisti absolut në “AT&T Center” u bë Stephen Curry, që e mbylli sfidën me 36 pikë, 15 nga të cilat i shënoi nga distanca, 5 topa në tabelë dhe 6 asiste. Golden State nuk e vuri në asnjë moment në dyshim përballjen me San Antonion.

Skuadra kaliforniane e mbylli periodën e parë 31-19, duke u treguar të gjithëve se ishte ajo që bënte ligjin në parket. San Antonio, që vuante mungesat e Leonard, Tony Parker dhe David Lee, nuk ishte në gjendje që t’i kundërpërgjigjej “Warriors”-ave në asnjë moment, me skuadrën teksane që i dha fund këtu sezonit të saj.

Top Channel