United-City, të bashkuar në dhimbjen pas sulmit terrorist

23/05/2017 00:00

Anglia qan viktimat e sulmit të tmerrshëm terrorist në Manchester, të ndodhur pas koncertit të Ariana Grande. Por ato që ndiejnë më shumë dhimbjen janë pikërisht skuadrat e këtij qyteti, City dhe United, që në këtë moment janë më të bashkuara se kurrë.

Si “Citizens”, ashtu edhe “Djajtë e kuq” kanë dalë menjëherë me komunikatat e tyre, duke deklaruar se në këtë moment janë shumë pranë personave të përfshirë në këtë sulm kamikaz.

“Të gjithë personat e përfshirë janë në zemrat tona”, lexohet në mesazhin e Manchester City në “Twitter”. Po në “Twitter”, United shkruan: Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për të gjithë personat që janë prekur nga kjo ngjarje.

Në të njëjtën kohë, Manchester City njofton se ka hapur dyert e “Etihad Stadium”, në mënyrë që të mundësohet ndihma e duhur për të gjithë të prekurit e këtij sulm, ndërsa “Djajtë e kuq” bënë apel për të gjithë personat që të dhurojnë gjak, ndërkohë që lajmëruan se dyqanet, muzeu dhe lokalet në “Old Trafford” do të jenë të mbyllur. Po kështu nuk do të bëhen as vizitat në këtë impiant.

Ndërkohë, drejtuesit e Manchester United, duke parë dinamikën e ngjarjeve, i kërkuan UEFA-s që të anulonin konferencën për shtyp në prag të finales së Europa League, me Ajaksin e Amsterdamit, kërkesë që u pranua nga qeveria e futbollit europian. Në seancën e radhës stërvitore, futbollistët dhe stafi teknik i “Djajve të kuq” mbajtën një minutë heshtjeje, në nderim të viktimave të këtij akti terrorist.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel