Trump, takime “të frytshme” në Lindjen e Mesme

23/05/2017 00:00

Ditën e dytë dhe të fundit të ndalesës në Lindjen e Mesme, Donald Trump e fokusoi te takimi me udhëheqësin e Autoritetit Paletinez, Mahmoud Abbas, me shpresën se përballja mes dy krerëve në Betlehem do të ishte, siç tha vet shefi i Shtëpisë së Bardhë, “e frytshme dhe e dobishme”.

Në Bregun Perëndimor dhe në Gaza, palestinezët kanë dalë nëpër rrugë për të protestuar ndaj vizitës së presidentit amerikan, që e ka shprehur hapur mbështetjen e tij për shtetin hebre.

Prej 3 vitesh tashmë, izraelitët dhe palestinezët nuk kanë mbajtur më bisedime të drejtpërdrejta mes tyre dhe Trump e pranon se kjo është një “prej marrëveshjeve më të vështira”. “Por kam ndjesinë, – shtoi ai, – se në fund do t’ia dalim mbanë”, ndërsa u zotua të japë ndihmën e tij.

“Jam i angazhuar të përpiqem për arritjen e një marrëveshjeje mes izraelitëve dhe palestinezëve. E kam ndërmend të bëj gjithçka mundem që të ndihmoj në përmbushjen e këtij qëllimi”, tha Trump.

Trump sqaroi se presidenti palestinez e ka garantuar se ishte i gatshëm të bashkëpunojë në besim të mirë dhe se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka premtuar të bëjë të njëjtën gjë. Ai u shpreh i kënaqur, që Abbas mori pjesë në samitin e Rijadit dhe u angazhua të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të luftuar terrorizmin e për t’iu kundërvënë ideologjisë së urrejtjes.

“Paqja, – deklaroi kreu i administratës amerikane, – nuk mund të hedhë rrënjë kurrë në një mjedis ku dhuna tolerohet, financohet, e madje edhe shpërblehet”, duke iu referuar këtu pagesave të bëra nga Autoriteti Palestinez për familjet e të burgosurve dhe personave të vrarë në konfliktin me Izraelin.

Më vonë, trump u rikthye në Jeruzalem për të vizituar Memorialin e “Yad Yashemit” e mbajti një fjalim në muzeun e Izraelit, ku konfirmoi edhe një herë se administrata e tij do të qëndrojë në krah të shtetit hebre. Por, ai e theksoi se udhëtimi i tij përqëndrohet te vullneti për të afruar kombet, e kujtoi se palestinezët janë të gatshëm për paqe.

Top Channel