Turi i Shqipërisë, Xhulio Kamberaj fiton etapën e tretë

23/05/2017 00:00

Xhulio Kamberaj është fituesi i etapës së tretë të Turit të 74-t çiklistik të Shqipërisë, Elbasan-Vlorë.

Çiklisti i skuadrës italiane “Gargano” arriti të triumfojë me kohën 4 orë, 16 minuta e 29 sekonda.

Menjëherë pas tij u pozicionuan çiklistët grekë të skuadrës “Tablevare Buglos” dhe “Sulois”, respektivisht me një dhe dy sekonda më shumë sesa Kamberaj.

Etapa e tretë e Turit të Shqipërisë u karakterizua nga disa shkëputje çiklistësh, por që në fund gjithçka u anulua, pasi grupi u bashkua për të qëndruar i tillë deri në hyrje të Vlorës.

Pikërisht në këtë moment, Kamberaj bëri diferencën dhe u shkëput nga të tjerët, për të siguruar fitoren përfundimtare të etapës Elbasan-Vlorë.

Renditja e përgjithshme e Turit të 74-t çiklistik të Shqipërisë kryesohet nga italiani i skuadrës “Meridiana Kamen”, Mateo Rabotini.

Top Channel