Arrestohet për pastrim parash ish-presidenti i Barcelonës

23/05/2017 00:00

Ish-presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, dhe bashkëshortja e tij, Marta Pineda, janë vënë në pranga nga policia spanjolle, me akuzën e “pastrimit të parave”.

Në operacionin e quajtur “Rimet” u arrestuan edhe 3 persona të tjerë, mes të cilëve rezulton të jetë ish-presidenti i Federatës braziliane të Futbollit, Ricardo Teixeira.

Sipas medies spanjolle, çifti Rosell pritet që të transferohet në Madrid, ndërkohë që forcat e rendit kanë nisur kontrollet në banesën e tij në Barcelonë dhe zyrat që ka në Lleida, Girona, e Andorrë.

Mësohet se Sandro Rosell akuzohet se ka mundur të përfitojë 15 milionë euro nga të drejtat televizive të ndeshjeve të përfaqësuseses braziliane, duke bërë më pas edhe riciklimin e tyre nëpërmjet kompanive të krijuara në vendet e quajtura “parajsa fiskale”.

Operacioni “Rimet” nisi pas sinjalizimeve të ardhura nga FBI-ja gjatë hetimeve të kryera në vitin 2015 për korrupsionin në FIFA, një vit pas dorëheqjes së tij si president i Barcelonës.

Pjesëmarrës në këtë çështje janë edhe njësia e Krimit Ekonomik e Fiskal, Prokuroria dhe gjykata. Ishte pikërisht gjykatësja Carmen Lamela, ajo që urdhëroi kontrollet dhe arrestimin e Rosell. Për më tepër, Lamela urdhëroi edhe sekuestrimin e 10 milionë eurove në depozita bankare, si dhe të pasurive të patundshme me vlerë 25 milionë euro.

Kjo çështje duket se nuk ka të bëjë aspak me atë të Neymar, në momentin e blerë nga Barcelona, për të cilin Rosell është i akuzuar për korrupsion. Po kështu nuk ka asnjë lidhje as me denoncimin e bërë nga Fondi brazilian i Investimeve “DIS”, në të ashtuquajturën çështja “Neymar 2”.

Top Channel