Stabiliteti në Mesdheun Lindor, në Greqi zhvillohet konferenca e dytë

22/05/2017 00:00

Me pjesëmarrjen e 9 vendeve arabe dhe shtatë shteteve europiane, midis tyre edhe Shqipëria, si dhe te përfaqësuesve të Ligës Arabe dhe Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, filloi punimet në Rodos të Greqisë konferenca e dytë për Sigurinë dhe Stabilitetin në Mesdheun Lindor.

Synimi kryesor i saj është krijimi i një organizmi për sigurinë dhe stabilitetin në Mesdheun juglindor dhe hartimin e një axhende pozitive bashkëpunimi midis vendeve të këtij rajoni, botës arabe dhe Ballkanit.

“Duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur që të ketë paqe, siguri dhe stabilitet në rajon. Kushdo që synon të përfitojë nga këto, duhet të luftojë terrorizmin, të mbrojë të drejtat e njeriut, interesat sociale dhe interesat e popujve. Të promovojë bashkëpunimin ndërkombëtar në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, shprehet Nikos Kotzaias, ministër i Jashtëm i Greqisë.

Sipas ministrit të Jashtëm grek që ka pritur midis përfaqësuesve të tjerë edhe zv/ministren e Jashtme të Shqipërisë Odeta Barbullushi, pjesëmarrësit kanë diskutuar në ditën e parë për menaxhimin  e sfidave të përbashkëta gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, ndërsa në ditën e dytë tema kryesore është mënyra e përforcimit te sigurisë dhe stabilitetit.

Është konferenca e dytë që zhvillohet me iniciativën e Greqisë pas asaj të shtatorit të vitit të kaluar ndërsa problemet e rëndësishme që përballojnë vendet e rajonit si konflikti në Siri, në Lindjen e Mesme, kriza në Libi, kriza e refugjateve, terrorizmi dhe krimi i organizuar, janë përshkallëzuar muajt e fundit dhe kërcënojnë stabilitetin në nivel rajonal.

Pjesëmarrësit kanë rënë dakord se çelësi i vetëm për përballimin e këtyre sfidave është krijimi i një hapësirë bashkëpunimi dhe promovimi i një sistemi rrjetesh ndërlidhëse midis zonave dhe shteteve të këtij rajoni.

Top Channel