Kampioni Zhupa në fokusin e “Eurosport”

08/05/2017 00:00

Kampioni shqiptar i çiklizmit Eugert Zhupa vazhdon të fitojë vëmendjen e tifozëve dhe mediave në xhiron e tretë të Italisë në karrierën e tij.

I impenjuar në një turne elitar si ai që mbledh profesionistët në Apenine, sportisti i ekipit të Vilier Triestinës ishte protagonist i një specialeje, ku më shumë se gara, rrëfeu vështirësitë dhe karrierën.

“Vitin e kaluar pata një arrati të improvizuar në pistë, por në finale besova vërtet se do të merrja një vend të dytë që për mua ishte si i artë. Më arritën në kilometrat e fundit dhe nuk më dukej e vërtetë dhe u zhgënjeva. Duke bërë shaka me miqtë thoja që do të isha një shqiptar që do të vendosja një emër të mirë, dhe kështu doli”, tregon ai.

Protagonist në shumë aksione në xhiron e Italisë së këtij viti, çiklisti shqiptar, tregon momentet e para të emigracionit.

“Kur unë linda në vitet ’90 në Shqipëri kishte kaos. Babai im erdhi si klandestin si shumë të tjerë dhe ngadalë nisi të punonte e të bënte dokumentet dhe për ne. Shumë gjëra nuk do t’i kisha bërë dot në Shqipëri, nuk do të kisha shanset që kam këtu”, shprehet ai.

Kampioni shqiptar i çiklizmit u ndje si në shtëpi në Rexhio Emilia, në etapën që e konsideroi si të shtëpisë, duke parë tifozët e shumtë, me një buzëqeshje të pastër si vetë Eugert Zhupa.

Top Channel