Flynn refuzon Senatin përmes Amendamentit të Pestë

22/05/2017 00:00

Michael Flynn do të shfrytëzojë të drejtën që i njeh Amendamenti i Pestë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara për të refuzuar Senatin për dorëzimin e dosjeve që lidhen me hetimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit të vjeshtës së shkuar.

Sipas këtij amendamenti, një i person i hetuar në një çështje kriminale mund të refuzojë të dëshmojë kundër vetes së tij.

Dokumentet kërkohen nga Komisioni për Çështjet e Zbulimit në Senatin amerikan si pjesë e hetimeve që po kryen. Më parë, Flynn ka kërkuar imunitet ndaj këtyre hetimeve.

Hetimi i senatorëve është vetëm njëri mes disa hetimeve që po kryhen njëkohësisht në lidhje me bashkëpunimin e mundshëm të stafit të fushatës së Donald Trump dhe Rusisë, ku dyshimet janë se Moska u përpoq të favorizojë kandidatin republikan në zgjedhje.

Flynn u shkarkua nga posti i këshilltarit të sigurisë në muajin shkurt pasi u provua se nuk kishte treguar të vërtetën për zv.Presidentin Mike Pence në lidhje me kontaktet e tij me ambasadorin rus në Uashington, kontakte të realizuara pak kohë para inaugurimit të Trump si President.

Top Channel