NBA, Boston rihap Finalen e Lindjes

22/05/2017 00:00

Bostoni shkaktoi surprizën në ndeshjen e tretë të Finaleve të Konferencës së Lindjes me Cleveland, duke mundur Cavaliers 111-108, për të rihapur llogaritë, teksa shkurtoi diferencën e sfidave në 2-1.

Në “Quicken Loans Arena”, skuadra e Celtics tregoi të gjithë krenarinë e saj duke e fituar këtë ndeshje vetëm në çastet e fundit.

Cleveland arriti të krijojë një avantazh prej 16 pikësh, teksa regjistroi rezultatin 66-50 në përfundim të pjesës së parë. Dominimi i Cavaliers vijoi edhe në fillimin e periodës së tretë dhe diferenca e pikëve u thellua edhe më shumë e shkoi deri në 21. Pikërisht në këtë moment Bostoni u rizgjua pas pushimit të kërkuar nga trajneri Stevens. Edhe pse pa Thomas në parket, Bostoni u shfaq i frikshëm pasi e shkurtoi diferencën në vetëm 5 pikë, duke e çuar rezultatin 87-82.

Ishte ky hapi i madh drejt përmbysjes fantastike të Celtics, që triumfoi me rezultatin 111-108 dhe kjo falë 3-pikëshit të Bradley, 4 sekonda nga fundi i sfidës. Për Bostonin ai që shkëlqeu ishte Marcus Smart me 27 pikë, 5 asist dhe 7 topa në tabelë. Ndërsa Cleveland u tradhëtua pikërisht nga ylli  i tij, LeBron James, i cili në këtë ndeshje pati një bilanc të varfër, me vetëm 11 pikë, 6 asist e 6 topa në tabelë.

Top Channel