Në moshën 64-vjeçare, Isabelle Huppert është një prej aktoreve më të vlerësuara të Francës. Karriera e gjatë 40-vjeçare i ka sjellë asaj dy herë çmimin e “aktores më të mirë” në festivalet e filmit në Cannes, ndërsa mban rekordin e nominimeve për çmimet “Cesar”, me 15 kandidime.

Koleget Salma Hayek, Uma Thurman dhe Catherine Deneuve ishin të pranishme në ceremoninë e së dielës mbrëma në Cannes, ku Huppert rrëmbeu një tjetër çmim, atë të dhënë gjatë shfaqjes “Women in Motion”.

“Jam shumë e lumtur për këtë çmim. ‘Woman in Motion’ është një titull i bukur, që do të thotë se ti je në avancim, se nuk po tërhiqesh. Ne këtu jemi të privilegjuara, por ka shumë gra nëpër botë, për të cilat mbetet ende shumë për të bërë”, tha Isabelle Huppert, aktore.

“Ajo është një legjendë. Performancat e saj janë çdo herë pa të meta dhe mendoj se është frymëzim për shumë aktore, e madje edhe producente filmash. Isabelle vazhdon të befasojë e të lërë mbresa në rrjedhën e viteve”, tha Salma Hayek, aktore.

“Women in Motion” u organizua nga shumëkombëshja franceze “Kering”, drejtuesi i së cilës është Francois-Henri Pinault, bashkëshorti i aktores nga “Hollywood”-i, Hayek. Mes pjesëmarrësve kishte edhe anëtarë të jurisë së Festivalit të 70 të Cannes, përfshirë kompozitorin franko-libanez, Gabriel Yared.

Top Channel