Maradona, lavde kapitenit legjendar të Romës: Totti, lojtari më i mirë

22/05/2017 00:00

Diego Maradona ka thurur lavde për Francesco Tottin, duke e quajtur kapitenin legjendar të Romës si “lojtarin më të mirë që ka parë ndonjëherë”.

Totti, tashmë 40-vjeçar, nuk do të ketë më një ofertë kontrate nga Roma, por ish-ylli i Napolit dhe legjenda e futbollit argjentinas, i njohur edhe si “Pibe de Oro”, Maradona ka vlerësuar maksimalisht karrierën e futbollistit italian në rrjetin social “Facebook”.

“Francesco Totti është mbreti i Romës, –  shkruan ai. – Ai është dhe do të mbetet lojtari më i mirë që kam parë ndonjëherë. Respekt!”.

Ndërkohë, edhe tifozët e rivalit të përjetshëm të Romës, Lazio, thurën lavde për Tottin gjatë fundjavës, duke zbuluar një parullë përgëzimi nga “rivalët e përjetshëm, gjatë humbjes së tyre përballë Interit.

Gjesti i lacialëve erdhi pak javë pasi edhe tifozët e Milanit nderuan Tottin gjatë ndeshjes së kuqezinjve me verdhekuqtë, në “San Siro” pak javë më herët.

Totti ende nuk e ka konfirmuar nëse “do të varë këpucët në gozhdë” në fund të këtij sezoni, por një kontratë 6-vjeçare për t’u bërë drejtor i Romës është ende në pritje të përgjigjes së tij. Sa i përket javës së fundit, Roma ia ka dalë mbanë me sukses që përballjen ndaj Genoas, të dielën e ardhshme, ta zhvillojë në orën 18, ndryshe nga sfidat e tjera që do të luhen më 20:45, vetëm e vetëm që të mundësohen festimet e duhura për Tottin pas vërshëllimës së fundit.

Për këtë arsye, edhe ndeshja Sampdoria-Napoli do të zhvillohet në të njëjtin orar, pasi si verdhekuqtë, edhe napolitanët garojnë me njëri-tjetrin për vendin e dytë të renditjes, pas Juventusit kampion, që do t’i siguronte njërit prej tyre biletën e kualifikimit të drejtpërdrejtë në fazën e grupeve të Champions League.

Top Channel