Rama markon “teknikët”. Zv.ministra në dikasteret e PD-së

22/05/2017 00:00

Për çdo ministër të ri teknik do të ketë një markim të ri politik. Ndryshimet në qeveri nuk kanë përfunduar vetëm me emërimin e 6 ministrave teknikë, të propozuar nga opozita sipas marrëveshjes politike “Rama-Basha”.

Këshilli i Ministrave miratoi këtë të hënë ndryshimin e 5 zëvendësministrave. Secili prej tyre, në ministri që do të drejtohen nga emrat teknikë të opozitës.

Në Ministrinë e Financave largohet Ervin Mete dhe rikthehet Irena Beqiraj, e cila aktualisht mban postin e Këshilltares ekonomike të kryeministrit Rama.

Në Ministrinë e Brendshme largohet Elona Gjebrea dhe emërohet Rovena Voda. Gerti Janaqi zëvendëson Redi Shtinon në Ministrinë e Arsimit, ndërsa Eridjan Salianji largohet nga posti i zëvendësministrit të Drejtësisë, për t’ia lënë vendin Etilda Gjonajt.

Emërimi i pestë është ai i Mira Kapisyzit, e cila merr postin e zëvendësministres së Shëndetësisë. Paralelisht janë ndryshuar edhe emrat e prefektëve në disa rrethe. Bie në sy rikthimi i Ardit Kajës, njeriut që konfliktoi me Edi Ramën kur u la jashtë listës së deputetëve në vitin 2009, e që për disa kohë militoi edhe në radhët e LSI-së.

Ndryshimi i papritur i zëvendësministrave, jo rastësisht në të gjitha ministritë që do të drejtohen nga opozita, duket si një markim politik i Edi Ramës për ministrat teknikë të Lulzim Bashës.

Veçanërisht në Ministrinë e Financave, rikthimi i Irena Beqirajt synon të mbajë të pacënuar autoritetin politik, në një institucion delikat, i cili në të shkuarën gjithmonë i ka ndierë pasojat e zgjedhjeve përmes përkeqësimit të Financave Publike.

Duket se klima e besimit është ende në ndërtim. Për momentin, PS dhe PD do të jenë bashkë në qeveri. Por nëse opozita do të monitorojë Qeverinë, tashmë do jetë edhe Qeveria që do të monitorojë opozitën në qeveri.

Top Channel