Tajvani pritet të ligjërojë martesat gay

22/05/2017 00:00

Tajvani mund të jetë i pari vend në Azi, që do të ligjërojë martesat mes të njëjtit seks. Një panel gjykatësish do të mblidhen në Gjykatën Kushtetuese për të debatuar ligjin e shumëdiskutuar në Kodin Civil tajvanez, që nënvizon se martesa duhet kufizuar mes një burri dhe një gruaje.

Pjesëtarët e komunitetit LGBT shpresojnë për një kthesë të madhe. Tajvani konsiderohet si një nga vendet më miqësore ndaj LGBT në Azi, e çdo vit atje mbahet manifestimi më i madh gay në rajon, me dhjetëra e mijëra pjesëmarrës nga e gjithë Azia.

Wang Tien-ming dhe He Hsiang janë të lidhur prej më shumë se 32 vitesh dhe shpresojnë se martesa mes të njëjtit seks do të ligjërohet shpejt, në mënyrë që edhe ata të mund të gëzojnë të njëjtat të drejta si çiftet heteroseksuale, si për shembull përfitimet në taksa dhe kujdes shëndetësor.

Aktivistët luftojnë për barazi prej shumë vitesh dhe këtë radhë duken optimistë. Pavarësisht kësaj, sondazhet e opinionit publik tregojnë se tajvanezët janë të ndarë për sa i takon çështjes. Kundërshtarët e martesave mes të njëjtit seks kanë protestuar jashtë Gjykatës Kushtetuese të Tajvanit, duke kërkuar që të arrihet më parë konsensusi mes vet qytetarëve.

Top Channel