Venezuelë, protestuesit djegin të gjallë proqeveritarin

22/05/2017 00:00

Presidenti i Venezuelës dënoi me tone të ashpra protestuesit opozitarë, të cilët të dielën, në një protestë i vunë zjarrin një personi, duke i akuzuar se e kishin vënë atë në shënjestër, sepse ishte proqeveritar.

“Një person u dogj, u rrah dhe u ther 4 herë. Ata e rrahën dhe thuajse e linçuan atë, vetëm sepse kishte thënë se ishte një çavist”, tha Maduro duke iu referuar lëvizjes socialiste të themeluar nga paraardhësi i tij Hugo Chavez.

Dëshmitarët në incident, mes të cilëve edhe një fotograf i “Reuters”, thanë se turma e kishte akuzuar burrin se ishte një hajdut. Rreth 100 persona, që po merrnin pjesë në protestën kundër Maduros, e rrethuan, e lyen me benzinë dhe i vunë zjarrin në sheshin “Altamira” në Karakasin lindor.

Edhe pse disa nga turma thonin se ai duhej të vdiste, të tjerët e ndihmuan dhe ai mundi të mbijetonte. Duke treguar videon e incidentit në televizionin shtetëror, Maduro e identifikoi personin si Orlando Figuera, 21 vjeç, dhe tha se po trajtohej në spital për djegie të rënda.

Protestat janë përshkallëzuar në Venezuelë prej 7 javësh, ndërsa zemërimi ndaj Maduros dhe qeverisë së tij është rritur. Shtatë në 10 persona thuhet se kundërshtojnë Maduron. Pavarësisht se ka rezervat më të mëdha të naftës në botë, Venezuela përballet me mungesa të shumë mallrave bazë, përfshirë këtu ushqime dhe ilaçe.

Ekonomia e saj ka rënë në kolaps dhe inflacioni pritet të shkojë në 700 për qind këtë vit, ndërkohë që kriminaliteti është dominues. Opozita kërkon zgjedhje të reja dhe thotë se qeveritë socialiste të Maduros dhe paraardhësit të tij Hugo Chavez kanë keqmenaxhuar ekonominë, që nga ardhja në pushtet në vitin 1999.

Top Channel