Juventus, 90 minuta larg “Scudetto”-s së 6. Festa, e kufizuar

21/05/2017 00:00

Vetëm 90 minuta larg legjendës, asaj që për Juventusin përfaqësohet nga titulli i gjashtë radhazi në Itali.

Të paktën vetëm për sot do të duhet të harrohet se skuadra e drejtuar nga Allegri sapo ka fituar Kupën e Italisë, e se pas dy javësh do të tentojë të ngrejë edhe trofeun “veshëgjatë” të kompeticionit më të lakmuar për klube në Europë. Nëse do t’ia dalë, “tripleta” do të jetë e bardhezinjve.

Por sot pas mesdite, në orën 15, Juventus duhet të mbyllë të gjitha llogaritë ndaj Crotones, për të shkuar më pas në transfertën ndaj Bolognas thjesht për shëtitje dhe për t’i shfrytëzuar dy javët e ardhshme vetëm për t’u përgatitur për finalen e Kardifit ndaj Realit të Madridit.

Sot, siç e ka konfirmuar prej ditësh Allegri, do të zbresin në fushë më të mirët, me përjashtim të Khedirës, i cili do të jetë në stolin e rezervave, por nuk do të aktivizohet. Dani Alves pritet të rikthehet në rolin e mbrojtësit anësor, ndërsa në formacion do të rikthehet edhe Cuadrado, që kompleton treshen pas shpinës së Higuain.

Crotone, nga ana e saj, nuk ka pësuar kurrë goleada dhe ndoshta e meriton shpëtimin vetëm për ato 17 pikët e grumbulluara në 7 ndeshjet e fundit. Nuk ka vlera të mëdha teknike, apo lojtarë të spikatur, por mbrohet shumë mirë për t’u nisur më pas në kundërsulm nga krahët. Në sulm kanë edhe një lojtar si Falcinelli, i zoti për të shënuar (12 gola në Serie A) dhe po aq për të ndihmuar shokët e skuadrës. Por për të shpresuar qëndrimin mes më të mirëve, Crotones i duhet të shpresojë që dy rivalët e saj, Empoli dhe Genoa, të marrin sa më pak pikë ndaj Atalantës dhe Torinos respektivisht.

Por le të rikthehemi në Torino, aty ku në rast se Juve shpallet kampione, ekipi do të marrë medaljet dhe “Scudetto”-n brenda stadiumit nga presidenti i Federatës italiane të Futbollit (FIGC), Tavecchio, por nuk do të shoqërohet me festën e zakonshme me autobusin e hapur apo shfaqjet në sheshin kryesor të qytetit. Kjo, sepse ka shumë pak kohë për të festuar, sepse mendja është te finalja e Championsit.

Top Channel