Koreja e Veriut, test të ri raketor

21/05/2017 00:00

Koreja e Veriut ka zhvilluar testin e radhës raketor. Zyra e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut njoftoi se raketa është lëshuar pasditen e së dielës me orën lokale.

Testimi vjen një javë pasi vendi i izoluar komunist lëshoi një tjetër raketë, që sipas tyre ishte e një lloji të ri që kishte aftësinë të mbante edhe koka të mëdha bërthamore.

Të hënën e kaluar, Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara kërkoi për të disatën herë që Peniani të mos kryente më testime të tilla. Në deklaratën e tij u theksua rëndësia që Koreja e Veriut “të shfaqte urgjentisht angazhim real ndaj denuklearizimit, përmes veprimeve konkrete”.

Raketa e testuar sot ka fluturuar për rreth 500 km, ka thënë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut, i cituar nga agjencia e lajmeve “Yonhap”. Ndërsa raketa e testuar javën e kaluar fluturoi për rreth 700 km.

Koreja e Veriut është duke ecur paralelisht me zhvillimin e armëve bërthamore, duke zhvilluar 5 teste nukleare, si dhe atë të kapaciteteve raketore për t’i dërguar këto armë në objektivat e tyre. Që të dyja këto zhvillime janë në shkelje dhe sfidë të hapur të sanksioneve të vendosura nga OKB-ja.

Sipas asaj që thotë Koreja e Jugut, testimi i fudnit është kryer nga Pukchang, në perëndim të vendit. Po aty, muajin e kaluar u tentua një tjetër test raketor, por raketa shpërtheu pak pas lëshimit.

Në orët e para të kësaj të diele, media shtetërore koreano-veriore kishte njoftuar se vendi do të vazhdojë të lëshojë “më shumë armë të afta për të goditur Shtetet e Bashkuara”.

Ndërkohë, sipas agjencisë “Yonhap”, presidenti i sapozgjedhur koreano-jugor, Moon Jae-in, i cili ka kërkuar angazhim më të thellë me Veriun komunist, ka thirrur një takim urgjent të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, në kundërpërgjigje të zhvillimeve të fundit.

Top Channel