Rezerva e farave, masa shtesë në Norvegji për sigurinë

20/05/2017 00:00

Atje ruhen farëra nga 5 mijë specie bimësh nga e gjithë bota. Të thara dhe të ngrira në mënyrë që të mund të rezistojnë për qindra vjet.

Nëse një luftë ose ngrohja globale do të kërcënojë bimët kyçe nga të cilat bota varet për ushqim, farat do të ekzistojnë brenda një frigoriferi gjigant, në thellësinë e një mali në ishullin arktik të Svalbardit në Norvegji.

Por, vitin e shkuar, uji mundi të depërtojë deri në hyrjen e tunelit të rezervës globale të farërave, duke kërcënuar thesarin që mbahet atje.

Temperaturat si jozakonisht të larta të vitit të shkuar, bënë që akulli të shkrijë duke mbushur me ujë hyrjen e tunelit. Farat nuk u dëmtuan por tani Norvegjia ka vendosur të marrë masa dhe të përmirësojë mbrojtjen.

Rezerva, një lloj arke e “Noes” për bimët, tani do të ketë mure të reja rezistente ndaj ujit në tunel dhe kanale drenazhimi jashtë tij. Edhe pse shumë shtete i ruajnë vetë rezervat e varieteteve kyçe, rezerva globale e farërave vepron si mbështetje.

Nëse farat e një vendi humbasin si pasojë e një katastrofe natyrore apo një katastrofe të shkaktuar nga njeriu, ato që ruhen në arktik mund të përdoren për ti rigjeneruar. Shkencëtarët atje e cilësojnë rezervën si dhomën më të rëndësishme në botë.

Qeveria norvegjeze ka sqaruar se shkak për ndërtimin e rezervës në Svalbard ka qenë bindja se akulli do të ishte i përhershëm. Por, problemet lindën tetorin e kaluar, kur temperaturat në vend të -10 gradëve të zakonshëm ishin rreth zeros.

Si pasojë, është vendosur të hapen kanale kulluese në mal për të penguar mbledhjen e ujit përreth hyrjes në tunel dhe mure rezistente ndaj ujit brenda tij, që do të sigurojnë mbrojtje shtesë për farat. Ndërkohë, Statsbygg, agjencia që administron rezervën, ka nisur një projekt kërkimi dhe zhvillimi për të monitoruar akujt në Svalbard.

Top Channel