Inzaghi: Strakosha e ardhmja e Lazios

20/05/2017 00:00

Lazio humbi finalen e Kupës ndaj Juventuesit duke u mundur 2-0, por pavarësisht se pësoi 2 gola nga bardhezinjtë shqiptari Strakosha zhvilloi një takim fantastik me pritjet e tij të shumta.

Por jo vetëm në këtë takim, por në një pjesë të mirë të këtij sezoni Thomas Strakosha ka qenë një prej më të mirëve te Lazio, duke krijuar besim edhe për të ardhmen në klubin bardhekaltër. Për këtë jep garanci trajneri i skuadrës, Simone Inzaghi, i cili po punon prej shumë vitesh me portierin shqiptar.

Gjatë këtij sezoni, 22-vjeçari shqiptar ka thyer hierarkitë kjo edhe për shkak të dëmtimit të Marchettit, por trajneri i skuadrës romane ka besim te aftësitë e tij, duke deklaruar se ai mund të vendoset në qendër të projektit, duke larguar mundësinë e afrimit të një tjetër emri për katërkëndëshin e Lazios.

Në konferencën e zakonshme për shtyp të fundjavës , Inzaghi u ndal veçanërisht te Strakosha duke theksuar: “Ai është një portier i besueshëm dhe mund të jetë titullar gjatë viteve të ardhshme. Ka bërë një rrugëtim jo të lehtë gjatë viteve të fundit”. Për sa i përket aktivizimit të të riut shqiptar në ndeshjen kundër Interit, ai shton se Strakosha po kalon një gjendje gripale dhe një vendim për aktivizimin e tij do të merret vetëm gjatë ditës së nesërme.

Top Channel