Ligj në Itali, gjoba për prindërit që nuk vaksinojnë fëmijët

20/05/2017 00:00

Italia ka nisur prej disa muajsh fushatën e ndërgjegjësimit për vaksinimin e fëmijëve, teksa janë shfaqur disa raste me sëmundje të cilat parandalohen prej tyre, si meningjiti.

Por së fundmi është e detyruar me ligj që fëmijët të jenë të vaksinuar për tu regjistruar në çerdhe dhe kopshte, për vogëlushët e moshave 0-6 vjeç. Ky detyrim ka të bëjë me modalitete të ndryshme, edhe shkollat fillore, të mesme dhe dy vitet e para të gjimnazit, pra deri në 16 vjeç. Por në këtë rast nuk ndalohet regjistrimi në shkolla, por prindërit do të duhet të paguajnë një gjobë deri në 7500 euro, apo edhe pezullim të autoritetit prindëror.

Kush nuk i vaksinon fëmijët rrezikon një gjobë nga 500 në 7500 euro. Por nuk mbaron këtu, prindi rrezikon dhe autoritetin prindëror tek i mituri nëse dhunon detyrimin e vaksinimit. Masat e dekretit, konfirmon ministria italiane e Shëndetësisë, do të hyjnë në fuqi në vitin e ardhshëm shkollor.

Janë një grup prej 12 vaksinash ku përfshihen ato kundër Hepatitit B, meningjitit, tetanozit, difterisë etj.

Top Channel