“Shija e Parisit” quhet festivali që joshi me dhjetëra të pasionuar pas ushqimit, të cilët nuk humbën rastin për të shijuar disa prej specialiteteve më të veçanta, të gatuara nga kuzhinierët më të mirë ndërkombëtarë.

Mes pjesëmarrësve ishin edhe dy shefat francezë me famë botërore, Gregory Marchand dhe Amandine Chaignot. Kjo e fundit hoqi dorë nga profesioni si farmaciste, për t’iu dedikuar pasionit për gatimin. 38-vjeçarja ka punuar në disa prej lokaleve më të njohura të Parisit, përpara se të bëhej shefe e restoranteve të luksit në Londër në janar të vitit 2015.

E pyetur se çfarë lloj pjate do të gatuante për presidentin e sapozgjedhur Emmanuel Macron, Amandine Chaignot tha:

“Di që Emmanuel Macron është shumë i dhënë pas ushqimit. Duke konsideruar moshën e re dhe energjinë e tij, unë do t’i propozoja një meny me bazë peshku e shparg”.

Themeluesi dhe shefi i restoranteve popullore “Frenchie” në Paris dhe Londër, Gregory Marchand sugjeroi gjithashtu një meny të ngjashme sezonale me shparg për presidentin 39-vjeçar.

“Do t’i përgatis diçka me shparg, sepse është sezonal, i ushqyeshëm dhe i shijshëm. Shpresoj shumë që ta pëlqejë”, tha Gregory Marchand, shef kuzhine.

Festivali përfshin specialitete nga restorantet më të njohur të Parisit, leksione gatimi dhe stenda me produkte ushqimore e pije të ndryshme. Ai do të vazhdojë deri më 21 maj.

Top Channel