Reagon Assange: Jam burgosur 7 vite pa asnjë akuzë

19/05/2017 00:00

Themeluesi i “Wikileaks”, Julian Assange tha se nuk do të falë dhe nuk do t’i harrojë përpjekjet për arrestimin e tij lidhur me akuzat për përdhunim, që detyruan atë të kërkonte azil në Ambasadën e Ekuadorit në Londër.

Duke përshëndetur atë që e quajti “një fitore të rëndësishme” nga ballkoni i Ambasadës, ai tha se ishte i gatshëm për dialog me autoritetet amerikane dhe britanike.

Suedia vendosi të ndalë hetimet për përdhunim ndaj 45-vjeçarit, që kërkohet edhe në SHBA për publikimin e mijëra dokumenteve sekrete ushtarake dhe diplomatike. Ai ka jetuar në Ambasadën e Ekuadorit në Londër që nga viti 2012, pas frikës për ekstradim në Suedi, që do të çonte më pas edhe në ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara.

Ekuadori i bëri thirrje Britanisë së Madhe të lejojë largimin e sigurtë të themeluesit të “Wikileaks” nga vendi, pasi policia londineze tha se është ende e detyruar ta arrestojë atë, nëse del nga ambasada.

“Sot është një fitore e rëndësishme për mua dhe sistemin e të drejtave të njeriut të OKB-së, por ajo nuk i fshin 7 vitet e burgosjes sime pa asnjë akuzë. Kjo nuk është diçka që unë mund ta fal, apo ta harroj. Stafi im ka kontaktuar me autoritetet britanike dhe ne shpresojmë të nisim një dialog konstuktiv edhe me SHBA”, tha Julian Assange.

Policia britanike tha se Assange vazhdon të përballet me një akuzë më të lehtë, atë të mospranimit të daljes para një gjykate, një shkelje kjo e dënueshme me deri një vit burg ose me gjobë. Por, Britania e Madhe nuk ka komentuar nëse ka marrë, apo jo, një kërkesë për ekstradim nga Shtetet e Bashkuara, ku Assange mund të përballet me drejtësinë për publikimin e qindra e mijëra dokumenteve sekrete të ushtrisë amerikane.

Avokati suedez i Assange, Per Samuelson tha se vendimi i Prokurorisë suedeze përfaqësonte një fitore të plotë për klientin e tij. Në anën tjetër, avokati i palës akuzuese në rastin e përdhunimit tha se, klientja e tij ishte e shokuar nga vendimi.

Top Channel