Sampaoli konfirmon largimin nga Sevilla: Argjentinën s’e refuzoja dot

19/05/2017 00:00

Mungonte vetëm zyrtarizimi i trajnerit Jorge Sampaoli, në pankinën e kombëtares argjentinase të futbollit, diçka që erdhi përmes fjalëve të vet protagonistit në një nga konferencat e fundit në Andaluzi.

I përfolur prej muajsh për firmën me përfaqësuesen e vendlindjes, Sampaoli tani do të provojë sërish drejtimin e një ekipi kombëtar, pas eksperiencës fantastike me Kilin.

Por për të nuk ishte e lehtë largimi nga Sevilla, klub të cilin e çoi në vendin e katërt në La Liga.

“Nuk po largohem nga Sevilla për një ekip tjetër, por po e braktis për kombëtaren e vendit tim. Është një ndryshim i lidhur me dashurinë e madhe për flamurin, që në këtë kohë ka nevojë për mua. Më ka pëlqyer gjithmonë Sevilla dhe do të doja të isha në garë për titullin, por më erdhi kjo mundësi e parefuzueshme”, tha trajneri Sampaoli.

“Luftuam me 3 më të mëdhatë në La Liga dhe dolëm nga Champions për dy penallti të gabuara, por me mesatare 1.7 gola çdo ndeshje. Tani po realizoj ëndrrën time për të drejtuar Argjentinën, të vetmes që nuk mund t’i thoja jo”, tha Jorge Sampaoli.

Top Channel