Britania, më shumë emigrantë për të shmangur pasojat e “Brexit”

19/05/2017 00:00

Ekonomia britanike ka nevojë për një fluks emigrimi prej 200 mijë njerëzish në vit, dyfishi i objektivit të konservatorëve, që të shmangë pasojat katastrofike ekonomike që lidhen me “Brexit”.

Studimi është kryer nga ekspertë britanikë të punësimit dhe raporti “E ardhmja globale” del në konkluzionin se produktiviteti i ulët i Mbretërisë së Bashkuar, popullsia në plakje dhe mungesa e krahut të punës në fusha thelbësore, si Shërbimi Shëndetësor Kombëtar, tregon se duhen 200 mijë njerëz të rinj çdo vit.

Raporti, i mbështetur nga 3 grupe punëdhënësish, kritikon laburistët dhe konservatorët, që kanë refuzuar të tregohen të ndershëm me britanikët për nivelin e emigracionit, për të cilin Britania ka nevojë.

Në studim paralajmërohet se, nëse Mbretëria e Bashkuar refuzon që të jetë elastike për burimet e krahut të punës, mund të përballet me një dekadë rritjeje të ngadaltë ekonomike, ngjashëm me Japoninë.

Një ditë më parë, konservatorët premtuan se do të kufizojnë emigrimin në dhjetëra mijëra në vit dhe thanë gjithashtu se do të dyfishojnë kostot për punëdhënësit që punësojnë punëtorë të huaj.

Raporti i “të ardhmes globale” parashikon një fluks emigracioni të nevojshëm, të njëjtë me nivelet që prej vitit 2000. Shifra që mbulon emigrantët nga BE-ja apo jo, bazohet në analiza makroekonomike dhe në shqyrtimin e mangësive të krahut të punës në çdo sektor.

Raporti pretendon se kriza e tregut të krahut të punës do të bëhet shumë e rëndë në planin afatshkurtër, nëse ministrat nuk japin sinjale që në fillim të bisedimeve për “Brexit” për fatin e rezidentëve europianë dhe emigrantëve të tjerë.

Studimi parashikon se, deri në vitin 2050, në Britani do të jetë dyfishuar numri i njerëzve mbi 65 vjeç dhe do të katërfishohet ai i atyre mbi 85 vjeç, gjë që nëse nuk merren masa për prurje të reja do të jetë një “bombë demografike me sahat”.

Top Channel