Priten akuza zyrtare ndaj Ronaldos për evazion fiskal

19/05/2017 00:00

Ndaj Cristiano Ronaldos pritet të ngrihen zyrtarisht akuza për evazion fiskal. Sipas të përditshmes spanjolle “El Confidencial”, organet tatimore në vendin iberik po përpilojnë detajet e fundit në lidhje me këtë çështje.

Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, ky institucion pritet të dorëzojë në zyrat e Prokurorisë së Krimit Ekonomik në Madrid dokumentet që tregojnë për evazionin fiskal të vitit 2011 përpara 30 qershorit kur kjo çështje mund të arkivohet.

Vetëm përpara pak javësh, “Football Leaks” dhe “El Mundo” publikuan lajmin për evazionin fiskal të Ronaldos me një vlerë prej 150 milionë euro për shkak të devijimit të të ardhurave të tij nga e drejta e imazhit duke i transferuar ato në vendet e quajtura parajsa fiskale nëpërmjet kompanive irlandeze.

Një zëdhënës i agjencisë që përfaqëson Ronaldon ka pranuar për “El Confidencial” se në Spanjë aplikohen kritere të ndryshme për sa i përket të drejtave të imazhit. Ai shtoi se duke u bazuar në të ashtuquajturin “Ligji Beckham”, futbollisti ishte i detyruar të paguante për të ardhurat e siguruara në Spanjë dhe jo për shifrën totale të përfituar në nivel botëror dhe se qëllimi i tij nuk ishte të mashtronte.

Por jo vetëm kaq, po ky zëdhënës, pranoi se Ronaldo nuk i ka paguar të gjitha detyrimet ndaj shteti spanjoll nga të ardhurat e siguruar nga të drejtat e imazhit, gjë të cilën e kishte bërë edhe në Britani. Në materialin e siguruar nga “El Confidencial” theksohet gjithashtu se organet tatimore në Spanjë kërkojnë që Ronaldo të paguajë detyrimet për të gjitha të ardhurat e siguruara, në të njëjtën kohë nga agjencia që përfaqëson Ronaldon është hedhur edhe propozimi që të arrihet në një marrëveshje me autoritetet, në mënyrë që luzitani të mos ulet në bankën e të akuzuarve siç ndodhi me sulmuesin e Barcelonës, Lionel Messi.

Top Channel