Sejko, në mbledhjen e Grupit Këshillimor dhe në mbledhjet vjetore të Fondit Evropian për Evropën Juglindore

19/05/2017 00:00

Në datat 17-18 maj 2017, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjen e Grupit Këshillimor dhe në Mbledhjet Vjetore të Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE), në Split, Kroaci.

Këtë vit, ishte mbledhja e 10-të vjetore e organizuar nga EFSE dhe me këtë rast u mbajt konferenca me temë “Krijimi i mundësive të përfshirjes financiare, nisma start–up dhe sipërmarrja”, ku merrnin pjesë guvernatorë dhe drejtues të lartë bankash qendrore, përfaqësues nga Fondi Evropian për Evropën Juglindore, drejtues bankash dhe institucionesh mikrofinanciare, përfaqësues nga bota e biznesit dhe asaj të medias.Motoja e takimit të këtij viti ishte një shtrirje e natyrshme e fokusit të fondit në bizneset e vogla, krijimi i vendeve të punës dhe rritja ekonomike e vendeve të rajonit.

Mbledhja e Grupit Këshillimor të EFSE-s, është një takim vjetor ku drejtuesit e EFSE-s, guvernatorët dhe drejtues të tjerë nga gjithë zinxhiri i institucioneve të lidhura, diskutojnë për veprimtarinë e Fondit në të ardhmen.

Guvernatori Sejko, duke u ndalur në rolin që luan Banka e Shqipërisë në fushën e edukimit dhe promovimin e njohurive financiare, u shpreh se institucioni që ai drejton ka qenë mjaft aktiv në zhvillimin e aktiviteteve edukative dhe shpërndarjen e materialeve mësimore për grup-mosha të ndryshme.

Me qëllim forcimin e fijeve lidhëse mes institucioneve të angazhuara në edukimin financiar të publikut në tërësi dhe të të rinjve në veçanti, Banka e Shqipërisë ka nënshkruar dy Memorandume Mirëkuptimi përkatësisht me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe me Shoqatën Shqiptare të Bankave.

Guvernatori Sejko vlerësoi se promovimi dhe koordinimi ndërmjet aktorëve të ndryshëm të përfshirë në mësimdhënien e arsimit financiar në Shqipëri, për të nxitur bashkëpunimin e ndërsjellë në organizimine nismave të edukimit financiar mbetet një prioritet për Bankën e Shqipërisë.

Një tjetër çështje që Guvernatori theksoi gjatë konferencës ishte rëndësia që përfaqëson në ditët e sotme, zhvillimi teknologjik sidomos në drejtim të rritjes së përfshirjes financiare. Promovimi i risive në fushën teknologjike tha ai, vlerësohet si një tjetër metodikë të cilës po i kushtohet gjithmonë e më shumë rëndësi, pasi jo vetëm që kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e shpejtë të ekonomisë por shërben gjithashtu si një nxitës për një edukim financiar sa më të gjerë.

Në përfundim, Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë është dhe do të mbetet edhe në të ardhmen tërësisht e përkushtuar në këto misione të rëndësishme për brezat që do të vijnë.

Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) ka për qëllim të forcojë zhvillimin dhe prosperitetin ekonomik në Evropën Juglindore dhe në Rajonin Fqinj Lindor të Evropës, ku përfshihen Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika e Maqedonisë, Gjeorgjia, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Turqia dhe Ukraina. Fondi jep financim afatgjatë, kryesisht për ndërmarrjet e mesme dhe të vogla (NMV) dhe individë e familje për përmirësimin e kushteve të banimit, nëpërmjet institucioneve partnere huadhënëse vendase. ESFE u krijua më 15 dhjetor 2005 nga KfWEntwicklungsbank (Banka Gjermane e Zhvillimit) nga katër programe shumëpalëshe donatore të administruara prej saj. Fondi është partneriteti i parë publik-privat i këtij lloji dhe administrohet në mënyrë private për financimin e zhvillimit, i cili ka për qëllim të rrisë kapitalin privat për financimin e NMV-ve në rajonin e përzgjedhur.

Top Channel