Trump mohon t’i ketë ndërhyrë Comey në hetim: Prokurori special dëmton vendin

18/05/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi në mbrëmje se, emërimi i një këshilltari të posaçëm hetimor ndaj lidhjeve të pretenduara mes fushatës së tij presidenciale dhe ndërhyrjes kibernetike të Rusisë, “e dëmton vendin tonë”, teksa më herët e kishte identifikuar hetimin si “gjuetinë më të madhe të shtrigave” në historinë politike amerikane.

“Besoj se e dëmton tmerrësisht vendin tonë, sepse tregon se ne jemi të përçarë dhe jo një vend i bashkuar”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë në një drekë me një grup gazetarësh televizivë. “Ne kemi shumë gjëra të rëndësishme për të bërë në këtë moment, qofshin këto marrëveshje tregtare, ushtarake, apo frenimin e armëve bërthamore. Pikërisht të gjitha këto gjëra për të cilat diskutuam sot. E besoj se kjo çështje po tregon se vendi ynë është tejet i përçarë”, tha Trump.

I pyetur nga një gazetar nëse i kishte kërkuar ish-kreut të FBI-së të ndalonte hetimin për Flynn, apo ndikimin rus, ai iu përgjigj prerazi “Jo” dhe kërkoi të kalohej te pyetja e radhës.

Presidenti sugjeroi gjithashtu se hetimi, i cili tashmë do të udhëhiqet nga ish-drejtori i FBI-së, Robert Mueller, ishte i motivuar nga një përpjekje për të nxirë fitoren e tij presidenciale vitin e kaluar.

“Duket si një shfajësim i pastër i demokratëve për humbjen e zgjedhjeve, të cilat në fakt ata duhej t’i kishin fituar shumë lehtë, për shkak se Kolegji Elektoral ishte më shumë i prirur ndaj tyre. Kjo është e gjitha. Mendoj se tregon ndasi dhe tregon se vendi ynë nuk është i bashkuar. Kjo është edhe gjëja më negative që i ndodh vendit, ndaj shpresoj se do të kalojë shpejt, sepse na duhet të shfaqim unitet nëse duhet të bëjmë gjëra të mëdha në respekt të pjesës tjetër të botës”.

Zmbrapsja e Trump u dallua ndjeshëm me mirëseardhjen unanime në Uashington për Mueller, ish-drejtorin e FBI-së që është zgjedhur si prokuror special të mërkurën, nga zv.prokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein. Senatori Lindsey Graham, i cili u largua nga seanca informuese e senatorëve me Rosenstein, tha të enjten se tashmë beson që hetimi i Rusisë “duhet konsideruar tashmë një hetim penal”.

Top Channel