Rast unik! Dyshimet për trukim anulojnë ndeshjen në Suedi

18/05/2017 00:00

Federata Suedeze e Futbollit vendosi të shtyjë përkohësisht një ndeshje të kategorisë së parë në vendin nordik, mes Goteborgut dhe AIK Solnës, pas shumave të pazakonta të vendosura në kompani bastesh, që rritën nivelin e alarmit për manipulim.

Në një lëvizje të paprecedentë, drejtuesit imponuan pezullimin e sfidës së kësaj të enjteje, për shkak se u dyshua fort se grupe kriminale kanë provuar të fitojnë para përmes fiksimit të rezultatit.

“Ky është një sulm serioz ndaj futbollit suedez dhe ne kurrë nuk do ta pranojmë këtë, asnjëherë”, tha Hakan Sjostrand, sekretari i Përgjithshëm i Federatës së vendit skandinav.

Sipas burimeve të medieve, futbollistëve të AIK Solnës iu ofruan shuma të mëdha parash, në këmbim të tolerimeve për humbjen e ndeshjes ndaj rivalëve të Goteborgut. Gjithashtu, disa futbollistë u kërcënuan.

Dy skuadrat, në bashkëpunim me Federatën suedeze pritet të bien dakord për një datë tjetër për zhvillimin e sfidës, por kambanat e alarmit për trukimet në futboll kanë rënë sërish, ashtu si vitet e fundit në shtetin nordik.

Top Channel