Juve, rekordi i çuditshëm i Gianluigi Buffon

18/05/2017 00:00

Ëndrra e tij ka qenë prej vitesh ngritja e kupës “veshëgjatë” të kompeticionit më madhor për klube në kontinentin e vjetër, por gjithsesi, çdo trofe i ngritur është i mirëpritur nga kushdo që merr pjesë në një garë.

Juventusi fitoi mbrëmjen e së mërkurës Kupën e Italisë, pasi mposhti 2-0 Lazion në “Oimpico” të Romës, duke shënuar kështu triumfin e 12 në histori, si askush tjetër. Madje, për më tepër, askush tjetër nuk e ka fituar 3 herë radhazi, siç ka bërë “Zonja e vjetër” në këto 3 vite.

Megjithatë, duke i lënë mënjanë rekordet e arritura nga klubi bardhezi, le t’i hedhim një sy një rekordi të bujshëm dhe disi për të qeshur, gjithnjë për mirë. Dje në mbrëmje, katërkëndëshin e Juventusit e mbronte, për shkak rotacioni, Norberto Neto, e me të në fushën e blertë, veterani Gianluigi Buffon e ka ndjekur ndeshjen nga pankina.

Gigi e ka ngritur trofeun edhe duke mos kontribuar aspak në finalen e djeshme. Por nga këtu merr hov edhe rekordi i çuditshëm i portierit bardhezi. Buffon e ka fituar 3 herë Kupën e Italisë, pa luajtur as edhe një minutë të vetme.

Hera e fundit që Buffon ka zbritur në fushën e blertë për një ndeshje të Kupës ka qenë në dhjetor të vitit 2012, në ndeshjen kundër Cagliarit e vlefshme për 1/8-at e finaleve. Prej atëherë e deri më sot, Buffon është akomoduar gjithmonë në pankinë, duke ia lënë vendin zëvendësit të tij.

Top Channel