Zaev, bisedime me shqiptarët. Në Shkup festohet rënia e Gruevskit

18/05/2017 00:00

Zoran Zaev ka nisur pa humbur kohë, bisedimet për krijimin e koalicionit qeverisës, pasi presidenti Gjorge Ivanov u bind më në fund t’i dorëzonte mandatin e krijimit të ekzekutivit.

Sipas udhëheqësit socialdemokrat, bisedat me BDI-në, Besën dhe Aleancën për Shqiptarët synojnë përafrimin e qëndrimeve. Kreut të Besës, Bilall Kasami, ai i përsëriti faktin se, për një mazhorancë të qëndrueshme do të ishte më mirë që në koalicion të merrnin pjesë të trija partitë shqiptare.

Formimi i shpejtë i qeverisë, sipas Zaevit do t’i hapë rrugën edhe zgjidhjes sa më të shpejtë të çështjeve të mbetura pezull, siç është zgjatja e mandatit të Prokurorisë Speciale. Por Lëvizja Besa e bëri të qartë se, pjesëmarrja e saj në qeveri do të kushtëzohet nga emrat që do të propozohen për formimin e kabinetit.

“Ne nuk marrim pjesë nëse do të ketë ministra të dyshuar për korrupsion”, u shpreh Kasami.

Një ditë më parë, ndërkohë, dhjetëra vetë u mblodhën përpara ndërtesës së Kryeministrisë për të festuar atë që e cilësuan si “rënia e Nikola Gruevskit”.

Mediet vendase thonë se tubuesit janë pjesë e të ashtuquajturit “Revolucion i Larmë”, që vitin e kaluar protestonte në përkrahje të Prokurorisë Speciale. Gjatë tubimit, ata përsërisnin sloganet “Nikola nuk ke si t’i ikësh Shutkës” dhe “Nikola në burg”. Turma ishte mbledhur spontanisht, pas thirrjeve për protestë në rrjetet sociale.

Marrjen e mandatit nga Ivanovi, kreu socialdemokrat e përshkroi si fillim të ri për Maqedoninë. “Koncepti i së ardhmes së saj është ai i një shoqërie për të gjithë”, u shpreh ai. “T’i lëmë mënjanë dallimet, izolimin, urrejtjen, politikat destruktive. Të punojmë bashkërisht, sepse qeveria e re do të jetë qeveri e të gjithë qytetarëve”, deklaroi Zaev. “Ne po nisim të ndërtojmë shoqërinë e mundësive të barabarta për të gjithë”.

Top Channel