Mbreti i Holandës, pilot avioni

18/05/2017 00:00

Kompania ajrore mbretërore holandeze me sa duket nuk e ka këtë emër rastësisht. Mbreti Willem-Alexander, monarku i Holandës, zbuloi gjatë një interviste me gazetën “De Telegraaf” se kishte pilotuar rregullisht avionë pasagjerësh të kompanisë KLM në mënyrë sekrete për më shumë se dy dekada.

Monarku tregoi se zakonisht ishte pilot ndihmës dhe në fluturime të shkurtra. Më parë, ai kishte pilotuar avionë për një tjetër kompani holandeze, pikërisht “Martinair”. Mbreti rrëfeu se kryente fluturime dy herë në muaj dhe kjo ishte një mënyrë shumë e mirë për tu shkëputur nga detyrat mbretërore.

“Kur fluturon, ke përgjegjësi për avionin, pasagjerët dhe ekuipazhin. Problemet që ke në tokë, nuk mund t’i marrësh me vete në qiell. Prandaj, unë harroja gjithçka dhe përqëndrohesha tek fluturimi dhe kjo për mua ishte pjesa më e bukur”, deklaroi mbreti Ëillem Alexander. Ai shtoi se që pas vitit 2001, kur u ndalua prania e pasagjerëve në kabinën e pilotimit, zor se kishte më mundësi që ta njihnin.

Mbreti tregoi se ishte i stërvitur edhe për të pilotuar avionë Boeing 373, të cilët do të merren së shpejti nga kompania KLM, por tha se ka hequr dorë nga fluturime sekrete, kështu që zor se do t’i provojë edhe ata.

Top Channel