Ndihma për Lekbellon, ndeshje edhe në Greqi

17/05/2017 00:00

Ka qenë Artur Lekbello ai që ka shkelmuar i pari topin në ndeshjen e veteranëve të futbollit të ekipit të Arisit të Selanikut me ish-futbollistët e kombëtares greke, kampione e Europës në vitin 2004. Një nismë solidariteti, për t’i ardhur në ndihmë futbollistit të shquar shqiptar në përpjekjet e tij për të përballuar ekonomikisht një sëmundje të rrallë e të rëndë.

Mbi 2500 tifozë të Arisit, dashamirës të kombëtares greke, fansa të ish-futbollistit shqiptar, miq të tij dhe emigrantë shqiptarë në Selanik kishin mbushur shkallët e stadiumit “Kleanthis Vikelidhis” në qytetin verior të Greqisë.

Evenimenti është mbuluar nga shumë stacione televizive të Greqisë, apo edhe nga gazetarë të gazetave dhe portaleve greke.

Para ndeshjes, në pushimin e saj dhe më pas, dhjetëra prej të pranishmeve kanë dashur të takojnë edhe njëherë Lekbellon ,fotografia e të cilit me ekipin, prej vitesh ndodhet në muzeun e stadiumit të Arisit.

Pranë tij, edhe miqtë e tij shqiptarë nga Selaniku dhe Shqipëria, përshirë edhe zv.presidentin e Federatës së futbollit, Lutfi Nuri apo edhe administratorin e klubit të Tiranës, Krenar Alimehmeti.

Top Channel