Greqi, dhunë gjatë grevës 24-orëshe kundër masave shtrënguese

17/05/2017 00:00

Mijëra grekë kanë vërshuar mesditën e së mërkurës në qendër të Athinës, Selanikut dhe qyteteve të mëdha të vendit, duke iu përgjigjur thirrjes së konfederatave të sektorit publik “Adedy” dhe atij privat “GSEE”, për një grevë të përgjitshme 24 orëshe.

Grekët protestojnë edhe njëherë kundër masave të rrepta të kursimit, si shkurtimet e pensioneve dhe rritjen e taksave që sjell qeveria, në mënyrë që të mbyllet vlerësimi i dytë i programit grek nga kreditorët, disa orë para miratimit të paketës së katërt të reformave në Parlament me vlerë 4.9 miliardë euro, që është edhe kusht për vazhdimësinë e ndihmës financiare për Greqinë.

Në grevë marrin pjesë nëpunësit e Administratës Civile dhe lokale, mësuesit, nëpunësit e bankave. Spitalet funksionojnë me personel sigurie, mjetet e shërbimit urban punojnë në mënyrë të reduktuar, anijet qëndrojnë të ankoruara në porte, shumë fluturime janë anuluar ose është ndryshuar orari i tyre, ndërsa të martën në grevë kanë qenë edhe mediet e vendit.

Greva është përshkallëzim i disa protestave të organizuara gjatë këtij muaji ndaj reformave të qeverisë “Tsipras”, kur partia që ai udhëheq, “Syriza”, ndodhet me 10 pikë diferencë pas konservatorëve të “Demokracisë së Re” në preferencën e qytetarëve sipas sondazheve të fundit.

Edhe pse financat e vendit janë përmirësuar, varfëria dhe papunësia mbeten ende në nivele rekord dhe e vetmja shpresë për ripërtëritjen e ekonomisë greke, që ka filluar disi të lëvizë, mbetet sezoni turistik që pritet të shënojë shifra të papara ndonjëherë për vendin, duke përfituar edhe nga destabilizimi politik i vendeve përreth, si Turqia dhe Egjipti.

Megjithatë, protesta e sindikatave greke ka degjeneruar në akte dhune. Mijëra protestues iu drejtuan sheshit “Sindagma”, ku edhe iu kërkuan ligjvënësve grekë të mos e votojnë paketën e fundit ligjore, e cila i hap rrugë vazhdimit të ndihmës nga FMN dhe Bashkimi Europian, por njëkohësish pritet t’i përballë grekët me një valë të re taksash dhe kufizimesh ekonomike.

Analistët besojnë se paketa e fundit e qeverisë do të përkeqësojë edhe më tej gjendjen ekonomike, ndërsa qeveria publikoi një plan subvencionesh për shtresat në nevojë, që sipas saj do të zbusë efektet e masave të reja që do të votohen mbrëmjen e së enjtes prej Parlamentit.

Anarkia nisi pasi një grup prej rreth 100-120 personash, për të cilët policia thotë se janë anarkistë, sulmuan me gurë dhe bomba molotov forcat e Rendit të ngarkuara me ruatjen e sigurisë në sheshin jashtë Parlamentit grek.

Policia thotë se anarkistët ndodheshin brenda grupit të protestuesve të sindikatave. Policia është përgjigjur me granata shpërthyese dhe kimikate, për të vënë nën kontroll situatën. Gjatë përleshjeve u dëmtua edhe një automjet i televizionit shtetëror “ERT”, si dhe disa vitrina dyqanesh.

Pas ndërhyrjes së policisë, grupi i anarkistëve iu drejtua rrugës “Panepistimiu”, e prej andej gjeti strehim në lagjen “Eksarqia”. Policia thotë se ka ndaluar disa të dyshuar dhe i ka dërguar ata për verifikim në Drejtorinë e Policisë së Atikës.

Top Channel