Benzemasë i soset durimi. Sulmon Deschamps dhe Valbuena

17/05/2017 00:00

Karim Benzema nuk përfshihet prej kohësh në përfaqësuesen franceze dhe shkak është “çështja Valbuena”, me sulmuesin e Realit të Madridit që dyshohet si bashkëpunëtor në shantazhin ndaj mesfushorit të Lyonit.

Një situatë që nuk po kapërdihet nga Benzema, i cili u hodh në kundërsulm duke kritikuar si Valbuenën, ashtu edhe vet Didier Deschamps.

“Valbuena do të bëjë mirë që të ndalojë së thëni gënjeshtra, se po më çmendin”, tha Benzema në një intervistë për të përditshmen franceze “L’Equipe”.

“Ndërsa Deschamps po shfaqet si një person jo koherent, por arrij të kuptoj mënyrën e tij të të vepruarit. Rruga më e lehtë për t’u marrë, duke parë edhe sesi më kanë trajtuar, është që të heq dorë nga gjithçka, por një sjellje e tillë nuk është në karakterin tim”, shtoi ai.

Më pas, Benzema foli për finalen e Champions League, ku Reali i Madridit do të kërkojë të mbrojë titullin e fituar vitin e kaluar.

“Është diçka e pabesueshme që po luajmë një tjetër finale të Championsit. Kam luajtur 4 gjysmëfinale në 7 sezone me këtë fanellë dhe gjithnjë jemi shfaqur në nivelet më të larta. Kjo që po përjetoj këtu te Reali i Madridit është ende një ëndërr për mua”, tha Benzema.

Top Channel