Ish-kreut të FBI-së, Trump: Mos u merr më me çështjen “Flynn”

17/05/2017 00:00

Java ka nisur me kokëçarje për Donald Trump. Pas raporteve për nxjerrjen e disa informacioneve “top secret” gjatë një takimi me zyrtarë rusë në Shtëpinë e Bardhë, mediet amerikane shkruajnë se presidenti i ka kërkuar ish-shefit të FBI-së, James Comey, të heqë dorë nga hetimi i lidhjeve mes ish-këshilltarit të tij të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn, dhe Moskës.

“Shpresoj të mos e ndjekësh këtë çështje”, mësohet t’i ketë thënë ai Comey, pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë në muajin shkurt.

Shtypi vendas citon për këto pretendime të tij, një memo të shkruar nga ish-kreu i Byrosë Federale të Hetimit fill pas takimit, në ditën që pasoi dorëheqjen e Flynn.

Edhe këto akuza, Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë si të pavërteta. Një kongresmen republikan me shumë ndikim i ka kërkuar FBI-së të dorëzojë brenda javës të gjitha dokumentet me peshë që disponon.

Zhvillimi i ri shpërthyes i së martës, me shumë gjasë do të ngrejë pyetje nëse kreu i shtetit është përpjekur të ndërhyjë në një hetim federal.

“Në një javë të mbushur me të reja, në ditën kur menduam se gjërat s’kishin se ku shkonin më keq sesa kaq, ato në fakt shkuan. U trondita nga raporti i ‘New York Times’ se presidenti është përpjekur të pezullojë një hetim aktiv të FBI-së, e kjo vetëm një ditë pas pretendimeve të tjera trullosëse se mund t’i ketë përcjellë informacione të klasifikuara një rivali të njohur”, tha Chuck Schumer, senator demokrat.

Në “Capitol Hill” vazhdojnë reagimet për çështjen e Rusisë.

“Mendoj se ai i detyrohet një shpjegim popullit amerikan, ndërsa ne të gjithë duhet ta dëgjojmë”, tha Mike Bennett, senator demokrat.

Top Channel