De Biasi, alternativa e Contes për Interin

16/05/2017 00:00

Një hipotezë e bujshme në orët e fundit, një emër i ri që do të linte mënjanë të gjithë konkurrentët e tjerë të përmendur deri më tani.

Kështu mund të konsiderohet deklarata e Massimo Mauros, ish-futbollist, politikan dhe analist futbolli, i cili duke folur për “Sky” ka zbuluar se trajneri i ardhshëm i Interit mund të jetë italian dhe as më pak e as më shumë, por Gianni De Biasi, tekniku aktual i kuqezinjve të Shqipërisë.

“Trajneri i ardhshëm i Interit? Nëse nuk do të jetë Conte, atëherë unë them që do të jetë De Biasi. Është shumë i zoti dhe mund të jetë një ide tejet e mirë. Interi besoj se do të fokusohet te një trajner italian”.

De Biasi, trajneri aktual i Shqipërisë, ka arritur rezultate historike me kombëtaren kuqezi, duke e kualifikuar atë për herë të parë në një Europian, siç ishte ai i Francës në verën e 2016-s. Pikërisht për këtë arritje, ai u rendit në vendin e 6 të klasifikimit të përvitshëm të IFFHS-së në vitin 2015, për 10 trajnerët më të mirë.

Në Itali, përveçse ngriti Modenën nga kategoria C1 deri në Serie A brenda dy vitesh, në palmaresin e tij figurojnë edhe promovime të tjera, një Superkupë dhe një Kupë Italie për kategorinë e tretë. Por, gjithsesi, kjo do të ishte hera e parë për të, në drejtimin e një prej ekipeve më të mëdha italiane.

Trajneri Gianni De Biasi nuk ka mundur të arrijë të njëjtin sukses edhe në kualifikueset e Botërorit të ardhshëm, që do të mbahet në Rusi në vitin 2018, ndaj dhe mund të jetë në fund të aventurës së tij kuqezi. I pyetur më herët nga “Gazzetta dello Sport” përpara ndeshjes së kuqezinjve në Palermo kundër “axurrëve” të Italisë, De Biasi shfaqte sinjale keqardhjeje nëse do të ndodhte vërtet shkarkimi i tij nga posti.

“Nëse Shqipëria do të më shkarkonte, do të ishte diçka kontroverse. Nuk besoj se kjo do të ndodhë, megjithatë. Me shumë gjasa, ne do të arrijmë një marrëveshje me Federatën Shqiptare të Futbollit”, thoshte atëherë De Biasi, duke e krahasuar një largim të mundshëm të tij me atë të shkarkimit të teknikut Claudio Ranieri nga Leicester City, pasi e shpalli këtë ekip kampion të Anglisë.

Top Channel